Connecthub Innovation Summit

24/10/2019

Rektori i Kolegjit Universitar “CIT”, Prof. Asoc. Dr. Reis Mulita dhe përgjegjësi i departamentit të Software Engineering, Dr. Bledar Kazia morën pjesë në “Innovation Summit 2019” organizuar në Mantova – Itali. Pjesëmarrja në veprimtari ishte në kuadër të bashkëpunimit që Kolegji Universitar “CIT” po zhvillon me “ConnectHub”, institucioni organizator i eventit. Kolegji Universitar “CIT” dhe “ConnectHub” kanë ndërtuar bashkëpunimin institucional sipas së cilës do të realizojnë edukim, formim professional, ushtrim shkathtësish dhe shprehish si dhe integrimin në punë të studentëve të CIT, nëpërmjet një proçesi të përbashkët midis dy institucioneve të konkretizuar nën një marrëveshje bashkëpunimi afatgjatë.

Bazuar në këtë marrëveshje studentët e CIT do të përfitojnë aftësim profesional pranë “ConnectHub” dhe PTM Digital, në ambjentet e CIT në Tiranë si dhe në Mantova në Itali.

“ConnectHub” është një kompani shumë e suksesshme që ushtron veprimtarinë e saj në fushën e softuerit, komunikimit digital, dhe ofron shërbime e- commerce në këtë fushë për kompani shumë të njohura dhe të mëdha në tregun global. Ne samitin e organizuar me date 24 Tetor 2019, ishin pjesëmarrëse rreth 250 kompani që operojnë në Itali dhe tregun global duke aplikuar komunikimin digital dhe programet e avancuara të softuerit. Përfaqësuesit e CIT gjatë summitit zhvilluan takime me përfaqësues të biznesit, universiteteve dhe aktorëve të tjerë të pranishëm në veprimtari, me të cilët diskutuan dhe ranë dakort për bashkëpunime me fusha interesi të përbashkët.

Bashkëpunimi me “ConnectHub” dhe partnerët e tjerë pjesëmarrës dhe bashkëorganizatorët e eventit janë shprehje e konkretizimit të bashkëpunimit të CIT me përfaqësues të biznesit dhe nismës së lirë, si një nga shtyllat e filozofisë për realizimin e programeve dhe objektivat e CIT, nën konceptin e Triple Helix.