Bordi i Administrimit të Kolegjit Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë” (CIT) zhvillon mbledhjen e tij të radhës

29/05/2020

Në kuadrin e trajtimit të disa çështjeve të rëndësishme për jetën dhe perspektivën institucionale të Kolegjit Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë” (Canadian Institute of Technology), sot më datë 29.05.2020 u zhvillua mbledhja e radhës e Bordit të Administrimit të institucionit.

Ky takim i parapriu zhvillimeve kryesore të njoftuara prej Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë që kanë të bëjnë me masat për mbylljen e vitit akademik 2019-2020, që nisin gjatë muajit qershor e që shtrihen deri në muajin shtator, si dhe atyre që kanë të bëjnë me rifillimin e aktivitetit akademik për vitin 2020-2021.

Gjatë takimit, Prof.Assoc.Dr. Ramiz Zekaj, Kryetar i Bordit të Administrimit të “Institutit Kanadez të Teknologjise”, bëri me dije për anëtarët se, KU “IKT” (CIT) ka treguar një personalitet të fortë institucional, duke qenë ndër institucionet kryesore në vend që kanë përdorur teknologji novative në procesin e mësimdhënies dhe duke plotësuar të gjitha detyrimet dhe standardet akademike për studentët, në mënyrë që ata të mos humbasin asgjë prej njohurive që duhet të merrnin dhe planit mësimor.

Njëkohësisht, ai theksoi se KU “IKT” përveç përmbushjes së detyrimeve akademike për studentët e vet, u ka ardhur në ndihmë edhe maturantëve në tërë vendin, përmes një platforme online, e cila u ka ofruar atyre përsëritje dhe mbështetje falas me orë mësimore në lëndët kryesore, të zhvilluara prej akademikëve më të mirë në IKT. Kjo tregon mbështetjen që IKT u jep jo vetëm maturantëve por të gjithë atyre që duan të studiojnë me standardet më të larta akademike dhe në një ambient të përsosur studimi.

Ndër të tjera – u theksua – se, ata (maturantët) do të përfitojnë në IKT një eksperiencë të vërtetë e të prekshme, për t’i zhvilluar studimet jo vetëm me cilësi, po në zemrën e një metropoli dinamik. Ky prezantim i parapriu mbledhjes së thirrur, e cila vijoi me trajtimin e agjendës së lajmëruar më herët për anëtarët.

Në mbledhje moren pjesë anëtarët e Bordit, Prof.Dr. Llukan Puka,
Prof.Dr. Shkëlqim Cani, Prof.Dr. Andonaq Londo dhe Prof. Assoc. Merita Xhumari. Mbledhja u drejtua nga Kryetari i Bordit, Prof.Assoc.Dr. Ramiz Zekaj. I ftuar në mbledhje ishte edhe Rektori i KU “IKT”, Prof.Dr. Sokol Abazi.

>
Në këtë mbledhje, Bord i Administrimit pasi shqyrtoi të gjithë propozimet dhe dokumentacionin e vënë në dispozicion, vendosi për:
 Emërimin e znj. Erjona Deshati në pozicionin e Administratores së Kolegjit Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë”;
 Emërimin e z. Ubejd Osmani, në pozicionin e Administratorit të Fakultetit të Ekonomisë;
 Emërimin e z. Bledar Komini në pozicionin e Këshilltarit dhe Përfaqësuesit të Bordit të Administrimit në Kolegjin Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë”;
 Miratimin e “Strukturës së Pagave” për Personelin Akademik;
 Miratimin e “Strategjisë së Zhvillimit të Institucionit dhe Plan-Buxhetin Financiar Afat-gjatë 2020-2025”;
 Miratimin e “Rregullores Financiare” të Kolegjit Universitar “Instituti Kanadez i
Teknologjisë”;
 Miratimin e “Tarifave të Studimit” për vitin akademik 2020-2021;

Anëtarët e Bordit, në fjalën e tyre, vlerësuan faktin se KU “IKT” ka pasur në vazhdimësi zhvillime pozitive, si një institucion i akredituar maksimalisht, i cili tashmë është një pioner në mënyrat dhe teknologjinë e mësimdhënies, që i ndihmon studentëve për të përthithur njohuritë më të fundit, duke marrë gjithnjë në konsideratë nevojat e domosdoshme të një edukimi në ndryshim.


Studimet pranë IKT janë vetëm në gjuhën anglezet, gjë e cila ju ofron studentëve përfitime të shumta si në aspektin e literaturës, ashtu dhe në përthithjen e dijeve dhe njohurive më të fundit të përdorura në universitetet më të mira, si dhe rritjen e mundësive të punësimit brenda e jashtë vendit, me një akses drejt një karriere ndërkombëtare.