MESAZHI I REKTORIT PËR MATURANTËT
July 30, 2023 2023-09-01 12:41MESAZHI I REKTORIT PËR MATURANTËT
MESAZHI I REKTORIT PËR MATURANTËT
Të nderuar maturantë,
Deri më datën 3 gusht, ju do vendosni për të ardhmen tuaj!
Prej sot, ju do të zgjidhni programin e studimit, i cili nëse do të kurorëzohet me sukses, do t’ju jap ju profesionin e jetës.
Ne në Institutin Kanadez të Teknologjisë nuk duam t’ju tregojmë se cilët janë programet më të rëndësishme të studimit për ju dhe karrierën tuaj, por më lejoni që në emër të këtij institucioni t’ju jap disa këshilla, si Rektor, si pedagog prej shumë vitesh, por edhe si një mik i juaji që dëshiron të jetë pranë jush dhe t’ju këshillojë në këto ditë të rëndësishme.
Duke ditur rëndësinë e studimeve dhe se sa e formësojnë ato studentin për të ardhmen e tij, dua të tërheq vëmendjen tuaj që të shihni me kujdes trendet e punësimit sot në botë, kryesisht Amerikën e Veriut dhe Evropën. Pra, përpara se të zgjidhni një program, shihni me kujdes mundësitë e punësimit.
Në vijim, pasi të keni parë mundësitë e punësimit, kombinojini ato me dëshirat, dhuntitë dhe pasionin tuaj. Nëse bashkohen, akoma dhe më mirë.
Nëse doni të studioni në një program, i cili ju mundëson njohjen dhe transferimin e njohurive më pas për të vijuar me studimet master, përzgjidhni ato programe që përdorin literaturë ndërkombëtare, të përditësuar dhe që ju ofrojnë mundësinë të studioni edhe me staf ndërkombëtar. Në të kundërt nëse karrierën tuaj e shihni brenda vendit dhe synoni një punësim të menjëhershëm pas studimeve tuaja, atëherë regjistrohuni në atë program që ju aftëson me skills-a të orientuara drejt kërkesave të tregut, dhe jo në programe që ju mbushin me teori dhe pa asnjë aftësi praktike.
Nga ana tjetër, nëse dëshironi diploma të njehësuara nga universitetet më të mira ndërkombëtare, shihni të regjistroheni në atë program që zbaton kurrikula ndërkombëtare dhe të mirënjohura.
Së fundi, përvoja që do të merrni përmes stafit akademik, kurrikulës së ndërtuar mirë, literaturës ndërkombëtare si dhe aftësimit praktik gjatë tre viteve, do ju shndërrojë ju në personin dhe profesionistin që jeni duke ëndërruar tashmë.
Ju jeni e ardhmja e këtij vendi!
Me respekt,
Prof. Dr. Sokol Abazi
